TIA kryeson Evropën mes aeroporteve të mëdha për rritjen e pasagjerëve në maj
Shqipëria vijon të konfirmojë pozicionin e saj si një nga tregjet me rritjen më të shpejtë të transportit ajror në Evropë.
Sipas raportit më të fundit të ACI Europe për muajin maj 2026, Aeroporti i Rinasit regjistroi një rritje prej 26% të numrit të pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u renditur i treti në të gjithë Europën për ritmin e rritjes së trafikut ajror.
Vetëm Maqedonia e Veriut, me një rritje prej 27.4%, dhe Sllovakia, me 112.8% – e ndikuar nga rikthimi i linjave ajrore dhe baza shumë e ulët e krahasimit – regjistruan rezultate më të larta. Pas Shqipërisë renditen Mali i Zi (+17.8%), Malta (+16.5%) dhe Uzbekistani (+16.2%).
Rritja e Shqipërisë është edhe më domethënëse në nivel aeroportesh. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) u rendit i pari ndër aeroportet e kategorisë “Large” (10–25 milionë pasagjerë në vit), me një rritje prej 26%, duke lënë pas aeroporte të rëndësishme si Tashkenti (+20.9%), Malta (+16.5%), Krakovi (+16%) dhe Izmiri (+13.3%).
Raporti i ACI Europe tregon se trafiku i pasagjerëve në të gjithë rrjetin europian të aeroporteve u rrit me vetëm 3.2% gjatë muajit maj, çka do të thotë se Shqipëria ka avancuar me një ritëm mbi tetë herë më të lartë se mesatarja europiane.
Sipas ACI Europe, performanca e tregjeve kombëtare vijon të karakterizohet nga diferenca të mëdha, të ndikuara nga kërkesa e fortë turistike, zgjerimi i kompanive ultra low-cost, ndryshimet në kapacitetet e linjave ajrore, si dhe zhvillimet gjeopolitike. Shqipëria përfiton veçanërisht nga zgjerimi i rrjetit të fluturimeve me kosto të ulët dhe rritja e vazhdueshme e kërkesës turistike.
Rezultatet e muajit maj përforcojnë trendin e viteve të fundit, ku Aeroporti i Tiranës është shndërruar në një nga aeroportet me rritjen më dinamike në Europë, duke konsoliduar rolin e Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më i rëndësishëm për turizmin dhe transportin ajror në rajon.